Armend Zemaj, tha në një prononcim për Gazetën Enigma se janë kundër krijimit të komisioneve, pasi një gjë e tillë shkel ligjet dhe Kushtetutën.
“Nuk ka pajtueshmëri, kur shkelet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Nuk mund që ne të bëhemi pjesë e shkeljes kushtetuese dhe ligjore. Ne nuk marrim pjesë në një veprim të tillë”, tha Zemaj.
Deputeti i LDK-së thotë se e vetmja pikë e rendit të ditës që mund të jetë për seancë të Kuvendit, “është zgjedhja e Qeverisë, nëse ka emër të dytë ose nëse dikë e mandaton Presidentja, që e ka në plan të ketë 61 deputetë”.
“Nuk ka procedurë për miratim të buxhetit. Nuk është çështje dëshirash se a pranojmë ne apo jo. Asnjë legjislaturë e re nuk procedon me ligje të vjetra të një Qeverie që është në dorëheqje. Nuk është as Qeveri në detyrë, pas konstituimit të Kuvendit”, u shpreh tutje Zemaj për “Enigmën”.
