Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Armend Zemaj, ka reaguar pasi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përuroi në kohë fushate një hapësirë të rinovuar në Klinikën e Onkologjisë.
Zemaj ka thënë se Kurti e bëri këtë veprim në vend se të kërkonte falje për “faktin se një kompani e vetme farmaceutike ka përfituar mbi 75 milionë euro tender nga kjo qeveri, duke krijuar monopol dhe duke lënë qindra pacientë pa barna”.
“Kurti sot tenton të shesë një histori suksese. Si pasojë e këtij monopoli, qindra pacientëve iu është rrezikuar jeta dhe qindra familjeve iu është vështirësuar përditshmëria e tyre. Këta njerëz kanë vendosur interesat e mafisë së barnave mbi jetën e pacientit dhe qytetarit”, ka deklaruar Zemaj.
Zemaj ka thënë se 28 dhjetori duhet të jetë “shpresë për pacientin, për qytetarin, shëndetësinë kosovarë dhe profesionistët e saj”.
