Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në probleme serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, ku janë përfshirë dy persona.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti në trafik, e më pas në një moment 26-vjeçari ka drejtuar armën kah viktima.
Ky i fundit i shqetësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer gjithë ngjarjen në detaje.
Pas veprimeve hetimore, njësitë policore kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe i njëjti më pas është shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje si i dyshuar për veprën penale ‘Kanosje’.