Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, do të kandidojë sërish për këtë post për katër vitet e ardhshme.
Këtë e bëri të ditur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se Këshilli i Përgjithshëm i Degës ka propozuar sot Elezajn për një mandat të ri katërvjeçar në krye të komunës.
Sipas Haradinajt, Elezaj me ekipin e tij, i ka dhënë shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit dhe përparimit të komunës.
“Për kohën që iu dha besimi Aleancës për të qeverisur me Klinën, në krye me prof. Zenun Elezaj, kësaj komune i ofruam një qeverisje për t’u marrë shembull, që shpeshherë është përmendur si model edhe nga qytetet e tjera. Kryetari, prof. Zenun Elezaj, me ekipin e tij të përkushtuar, i ka dhënë shtytje të jashtëzakonshme zhvillimit dhe përparimit të komunës. Pikërisht sot, në 25-vjetorin e themelimit të Aleancës në Klinë, Këshilli i Përgjithshëm i Degës ka propozuar Kryetarin Elezaj për një mandat të ri katërvjeçar në krye të Komunës, një vendim i natyrshëm për të vazhduar punën dhe vizionin që ka dëshmuar rezultate konkrete”.
Poashtu, kryetari i Aleancës bëri të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i Degës së Aleancës në Suharekë ka propozuar Bali Muharremajn për një mandat të ri katërvjeçar, si vazhdimësi e një lidershipi që ka dëshmuar përgjegjësi dhe suksese gjatë qeverisjes.
“E njëjta frymë qeverisëse është ndërtuar edhe në Suharekë, ku nën udhëheqjen e Bali Muharremajt, qytetarët kanë përjetuar një transformim të dukshëm në shërbime, infrastrukturë dhe zhvillim të përgjithshëm. Po ashtu, sot, Këshilli i Përgjithshëm i Degës së Aleancës në Suharekë ka propozuar Kryetarin Muharremaj për një mandat të ri katërvjeçar, si vazhdimësi e një lidershipi që ka dëshmuar përgjegjësi dhe suksese gjatë qeverisjes, që na ka bërë krenarë të gjithëve. Komunat ku udhëheq Aleanca janë dëshmuar si lidere të qeverisjes së mirë, të ndershme dhe të përgjegjshme. Kjo traditë do të vazhdojë jo vetëm aty ku tashmë qeverisim, por edhe në komunat tjera, ku qeverisja jonë po shihet gjithnjë e më shumë si zgjedhja e duhur për zhvillim”, ka shkruar kreu i AAK-së.