Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance u takua me kryeministren e Italisë Giorgia Meloni në Romë këtë të premte. Sipas mediave të huaja Meloni ka ndarë pikëpamjet konservatore me Vance por dhe me Presidentin Donald Trump, me të cilin ajo u takua në Uashington vetëm një ditë më parë në një ofensivë magjepsëse që synonte një marrëveshje tarifash SHBA-BE.
Mes shumë çështjeve, mësohet se takimi vjen edhe për shkak të tarifave të kërcënuara të Trump që mund të kenë një ndikim të madh në Italinë, si eksportuesja e katërt më e madhe në botë, e cila dërgon rreth 10% të eksporteve të saj në Shtetet e Bashkuara.
Nga ana tjetër, për diskutimet mbi negociatat tregtare me Bashkimin Evropian, Vance tha se do të diskutonte me Melonin për negociatat që përfshijnë Ukrainën dhe Rusinë.
Ai gjithashtu la të nënkuptohet një shpresë mbi përfundimin e luftës Ukrainë-Rusi.
“Ne kemi disa gjëra interesante për të raportuar, natyrisht në mënyrë private. Unë nuk do t’i paragjykoj, por ne ndihemi optimistë dhe shpresojmë se mund të mbyllim këtë luftë brutale,” tha ai.
Meloni, një udhëheqëse e ekstremit të djathtë, e cila e ka pozicionuar veten si një urë lidhëse midis administratës Trump dhe Evropës, tha se shpresonte se dita e dytë e bisedimeve me Vance do të shërbente për të forcuar një miqësi të gjatë.
“Ne besojmë se Italia mund të jetë një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm në Evropë dhe Mesdhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një marrëdhënie të privilegjuar mes nesh, për të cilën jam shumë krenare”, tha ajo.
Shtëpia e Bardhë dhe zyra e Melonit dhanë një deklaratë të përbashkët ku cilëson se Trump do të vizitonte Italinë shumë shpejtë.
“Ka gjithashtu konsideratë për të mbajtur, me një rast të tillë, një takim midis SHBA-së dhe Evropës,” thuhet në deklaratë.
Kjo vizitë e Vance vjen njëkohësisht përpara festimit të Pashkëve në Vatikan, teksa ky i fundit ka theksuar se “mezi po pret të kalojë Pashkët këtu”.
“Ky është një vend që është ndërtuar nga njerëz që i duan njerëzit dhe e duan Zotin,” tha ai, duke shtuar se “me të vërtetë ngre shpirtin njerëzor”.
Gjithashtu, një ditë më parë Shtëpia e Bardhë njoftoi se zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është planifikuar të takojë dhe sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin.