Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur në lidhje me garën zgjedhore në Mitrovicë, duke thënë se ai s’ka qenë në garë, por se e kishte përgatitur një ekip të ri, siç e quajti ai, të jashtëzakonshëm.
Hamza tha se si parti kanë fituar numrin më të madh të votave që kur ekziston Partia Demokratike dhe garon në Mitrovicë.
“Unë s’kam qenë në garë në Mitrovicë, unë s’kam humb në Mitrovicë, kur unë kam qenë në garë në Mitrovicë, deri më tani jam i vetmi kryetar i cili jam zgjedhur me votë të drejtpërdrejt të qytetarëve në raundin e parë, pa balotazh, e kam kryer mandatin e plotë katërvjeçar, ka qenë ditur për të gjithë që unë nuk do të rikandidojë për kryetar të Mitrovicës”.
“E kam përgatitur një ekip të re, të jashtëzakonshme, të cilët jam i bindur se do të japin kontribut në institucionet e Kosovës, në politikën e Kosovës me dekada, nuk kam qenë pjesë e garës për kryetar, ndërsa si parti, ne e kemi fituar numrin më të madh të votave që kur ekziston Partia Demokratike dhe garon në Mitrovicë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, për procesin zgjedhor atje, kreu i PDK-së duke përmendur edhe lëvizjen e veturave, tha se ka pasur veprime që e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin e tij.
“Mendoj që ka pasur veprime të cilat e kanë cënuar dhe e kanë dëmtuar kredibilitetin dhe integritetin e procesit zgjedhor. Kanë ndikuar në rezultat zgjedhor. Nëse veç ka prezencë të institucioneve dhe involvim të institucioneve në një proces zgjedhor dhe në orët e natës, apo orët e hershme të mëngjesit, pastaj numër i madh i veturave që qarkullojnë gjithë natën 01, Mitrovica është e bukur është mikpritëse, por shumë vetura bash natën e zgjedhjeve, lë shumë hapësirë për të diskutuar”, u shpreh Hamza.
