Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri ka vendosur të hapë kutitë e votimit të qarkut Tiranë për një rinumërim të plotë të votave.
Vendimi u mor me kërkesën e dy anëtarëve të KAS-it, nga radhët e PD-së, dhe përfshin të gjitha qendrat e votimit në këtë qark, duke përfshirë edhe ato të votave të ardhura nga diaspora.
Për shkak të volumit të madh, mbi 1282 kuti votimi, procesi i rinumërimit do të zhvillohet në një datë ende të pacaktuar, pasi kërkon kohë për organizimin logjistik.
Lajmi u bë publik nga anëtari i KQZ-së, Ledio Braho.
“Në lidhje me kërkesën për provë, këqyrjen e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë, KAS me shumicë votash e rrëzon këtë kërkesë ankimore. Por, me kërkesë të dy anëtarëve të KAS-it, do të bëhet këqyrja e kutive të fletëve të votimit për qarkun Tiranë. Duke qenë se ky proces merr kohë për organizimin e logjistikës, pasi janë mbi 1200 qendra votimi, etapa për organizimin e këtij procesi do të merret në një moment tjetër. Partitë politike kanë të drejtën për të caktuar vëzhgues, dhe procesi do të këqyret nga ana e administratës së PD-së”, tha Braho.
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi kërkesën e PD për të shpallur të pavlefshme zgjedhjet në Tiranë, por në bazë të ligjit në fuqi dy anëtarë të KAS kanë të drejtë të kërkojnë rinumërimin e plotë të kutive të votimit.
“Kas ka zhvilluar sot shqyrtimin për kërkesën ankimore nr. 48, datë 29.05.2025, të depozituar nga Koalicioni “Partia Demokratike, Aleanca për Shqipërinë Madhështore” (PD–ASHM), që synonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve parlamentare në Qarkun Tiranë dhe përsëritjen e tyre. PD-ASHM kërkonte shfuqizimin e vendimit nr. 1326, datë 24.05.2025 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili miratonte tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për subjektet dhe kandidatët në Qarkun Tiranë. Subjekti ankimues kërkonte gjithashtu shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të datës 11 maj dhe urdhërimin e përsëritjes së tyre në të gjithë këtë zonë zgjedhore. Me shumicë votash, KAS rrëzoi kërkesën e PD–ASHM për të bërë një këqyrje të përgjithshme të kutive të fletëve të votimit në këtë qark”, thueht në njoftimin e KAS.
Rinumërimi u kërkua nga anëtarët e PS-së në KAS, respektivisht Elvis Çefa dhe Ledio Braho.