“Në Tërnoc të Madh, Partia Socialiste e Serbisë ka dashur ta kontrollojë vetë listën zgjedhore”, tha Shaip Kamberi.
“Gjithçka që po ndodh në Tërnoc të Madh, tregon se po bëhen të gjitha përpjekjet që lista shqiptare të mos ketë një deputet”, tha Kamberi për N1.
Ai ka thënë se në tentativën e fundit të pasuksesshme për organizimin e zgjedhjeve parlamentare në atë vend, ka pasur ofendime ndaj shqiptarëve në baza kombëtare dhe se një votues që ka ardhur për të votuar është tërhequr për dore nga vendvotimi.
Kamberi ka përsëritur po ashtu pretendimet se Veljko Odaloviq ka kërcënuar me arrestimin e vëzhguesve zgjedhor të listës së shqiptarëve.
I pyetur nëse votuesit po lodhen duke dalë vazhdimisht në zgjedhje, ai tha se “njerëzit janë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhje dhe se të drejtat e shqiptarëve duhet të jenë në rend dite”.
Ai tha gjithashtu se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të ketë opozitë dhe këtë do ta dinë votuesit e tij.
Ndryshe, zgjedhjet parlamentare serbe ende nuk kanë përfunduar dhe qytetarët e Tërnocit është dashur të votojnë për herë të katërt.