Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme shokoi opinionin kur njoftoi për skandalin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivisiti të Lëvzjes Vetëvendosje Astrit Dehari nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj tha se për rastin në fjalë janë duke u ndërmarrë hetime intensive.
“Për çështje në hetim nuk mund të japim detaje. Mund të themi që janë duke u ndërmarrë hetime intensive lidhur me këtë rast”, tha Isufaj të hënën për Gazetën Express.
Ministria e Drejtësisë ka pezulluar nga puna katër zyrtarë të IML-së, bëhet fjalë për: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë dhe Ilirjana Shala, kimiste në këtë Institut.
Naim Uka ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësdrejtorit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pas zhdukjes së disa mostrave në rastin e Astrit Dehari nga laboratorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Uka ka konfirmuar se ka dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv.drejtorit të IML-së.
Zhdukjen e mostrave të Deharit, ministrja Haxhiu e ka komentuar si “akt të rëndë dhe kriminal”.
Sipas saj mostrat janë vënë re se nuk ndodhen në Laborator kur po barteshin nga frigoriferët e vjetër në ata të rinj.
Haxhiu kishte deklaruar se në hapësirën e IML-së ku ndodhen mostrat kanë qasje vëtem 3 persona.
“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe 1 epruvetë e lukthit. Nga kjo dy epruveta ia kanë dhënë Instututit Zvicëran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, 1 e urinës dhe 1 e lukthit. Në vendin ku rrinë epruvetat kanë qasje vetëm 3 persona, pra vetëm 3 persona i kanë çelësat ku ruhen mostrat”, kishte deklaruar Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe rasti do të zbardhet.
“Situata e krijuar është tepër e rëndë dhe vendos fije dyshimi në gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore, por edhe në veprimtarinë e tij. Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt dhe nëse ai ndiqet kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Autorët do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, për këtë nuk ka dyshim e as kompromis”, ishte shprehur Haxhiu në konferencë.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, që po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 2016.
I ndjeri se bashku me pesë aktivistë të tjerë të LVV-së, po hetohej nën dyshimin se kishin planifikuar dhe organizuar sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me datën 4 gusht 2016.