Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Manaj, në një konferencë për media, tha se nëse Haxhiu nuk jep dorëheqje sot atëherë kryeministri, Albin Kurti, duhet ta shkarkojë atë
“Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që zhdukja e mostrave të Astrit Dehari nga laboratori të IML-së që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është super skandal dhe akti i shëmtuar kriminal”.
:Ky rast tregon më së mirë gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj. Ministrja e Drejtësisë është e paaftë që të drejtojë këtë ministri dhe të udhëheq procesin e reformave në drejtësi. Prandaj, dorëheqja e ministres së Drejtësisë është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera parapake”, tha Manaj.
Madje, Manaj thotë se nëse Kurti nuk e shkarkon Haxhiun do e konsiderojnë si bashkëpërgjegjës për këtë rast të cilin e konsiderojnë si super skandal dhe akt kriminal.
“Nuk mjafton pezullimi i zyrtarëve të IML-së, ky është një veprim me antë të të cilit mundohet të mbulohet përgjegjësia politike dhe institucionale e ministres së Drejtësisë. Prandaj, kërkojmë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, nëse nuk jep dorëheqje brenda ditës së sotme e ftojmë kryeministrin Kurti që ta shkarkojë atë – në rast se nuk e shkarkon e konsiderojmë bashkëpërgjegjës në këtë rast të zhdukjes së mostrave”.
“Nëse ndodh që zhdukja e këtyre mostrave do të ketë efekt të drejtpërdrejt në ndriçimin e plotë të rastit Dehari, atëherë shtrohet pyetja kujt po i intereson mos zbardhja e këtij rasti?”, tha Manaj.
LDK-ja, mes tjerash, i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të zbardhin shpejt këtë rast kriminal dhe të gjithë akterët e involvuar të marrin dënimin e merituar.