Kombëtarja e Kosovës do të përballet me atë të Greqisë në kuadër të kampanjës kualifikuese të Ligës së Kombeve nesër nga ora 20:45.
Për dy ekipet përfaqësuese kjo do të jetë ndeshja e dytë në grup, teksa të dyja e nisën me fitore.
Kosova mori tri pikë në udhëtim te Qipro pas fitores 0-2, derisa grekët triumfuan në udhëtim te Irlanda me rezultat 1-0.
Trajneri Alian Giresse së bashku me sulmuesin Vedat Muriqi kanë mbajtur konferencë për shtyp duke dhënë detaje për pritshmëritë që kanë nga ky takim.
“ Nesër ndeshemi me Greqinë dhe të dy ekipet janë në pozitë të njëjtë, pra kanë nga tre pikë. Jemi përgatitur maksimalisht për nesër”, tha Griesse.
“Zhegrova apo Rashica? Po padyshim që është zgjedhje e komplikuar duke marrë parasysh grupin e lojtarëve që kemi, sidomos duke ditur që në disa reparte që kemi shumë lojtarë që mund t’i përzgjedhim dhe në këtë rast, sidomos në sulm është problematike. Mirëpo, padyshim se sot nuk do tregojmë si do të paraqitemi nesër. Të vazhdojmë me këtë ritëm, më rëndësi të fitojmë ndeshjen tjetër dhe pastaj sipas nevojës të bëjmë ndryshime në pozitat e caktuara. Nëse marrim parasysh grupin që kemi, e shohim që kemi probleme në anën defensive, krahasuar me pjesën ofensive, ku kemi një numër të madh të lojtarëve. E shohim nesër se kush do të luajë në sulm”, theksoi ai.