Edon Zhegrova ka folur përpara ndeshjeve të muajit qershor për kombëtaren e Kosovës.
Kombëtarja e Kosovës para dy ditë janë grumbulluar për tu përgatitur për ndeshjet e muajit qershor të Ligës së Kombeve.
Atmosfera e lojtarëve duket e mirë dhe të gjithë gëzojnë një formë fenomenale.
Sulmuesi anësor Edon Zhegrova është shprehur i kënaqur me punën e deritashme dhe ishte optimist për një cikël të suksesshëm në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
“I kemi filluar shumë mirë përgatitjet dhe gjithçka po shkon si duhet. Është shumë e rëndësishme që ta nisim nga ndeshja e parë me fitore dhe ky është qëllimi ynë sepse kjo do të na japë vetëbesim për ndeshjet e radhës”, ka theksuar Zhegrova për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai tutje ka thënë se fakti që luajmë katër ndeshje brenda pak ditëve pas një sezoni të gjatë me klubet e tyre nuk e brengos, ngase grupi i bashkëlojtarëve gëzon formë të mirë dhe fanella e Kombëtares u jep motiv shtesë.
“Shumica e lojtarëve kanë pasur sezon të mirë të klubet e tyre dhe nuk do të jetë vështirë, pasi është gjithmonë nder kur e përfaqësojmë Kombëtaren e Kosovës. Këto janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne dhe për gjithë Kosovën, andaj shpresojmë të arrijmë sa më shumë rezultate pozitive. Qëllimi ynë është të jemi të parët në grup dhe të arrijmë sa më lart. Duhet të luajmë çdo ndeshje për fitore”, ka shtuar Zhegrova.
Në fund ka dhënë edhe një mesazh për tifozët “Dardanët”, të cilët pret ta stërmbushin stadiumin “Fadil Vokrri” në dy ndeshjet si vendas kundër Greqisë dhe Irlandës së Veriut.
“Dardanët si gjithmonë i pres në stadium me shumë entuziazëm dhe të na përkrahin në mënyrën qysh ata dijnë. Shpresoj që stadiumi të jetë i plotë që të kemi përkrahje më të madhe dhe në fund ne t’i shpërblejmë me fitore dhe me lojë të mirë”, përfundoi anëtari i skuadrës franceze, LOSC Lille.
Kosova më 2 qershor do të luajë ndeshjen e parë me Qipron me fillim nga ora 18:00.
Kurse më pas me datat 5, 9 dhe 12 do të përballen me Greqinë dy ndeshje dhe Irlandën e Veriut me fillim nga ora 20:45.
/Gazeta Enigma/