Edon Zhegrova e bëri një paraqitje të shkëlqyeshme mbrëmë në barazimin e Lillet me rezultat 1:1 ndaj Paris Saint-Germainit.
Ylli kosovar u shqua me disa depërtime dhe ishte i rrezikshëm në çdo moment.
Pas lojës, përfaqësuesi kosovar u shpreh i kënaqur me pikën që e morën ai me shokë, por edhe me paraqitjen që e bënë ndaj parisienëve.
“Mendoj se ekipi bëri punë të mirë që nga fillimi, posaçërisht në aspektin taktik dhe në defanzivë sepse ekipi i Parisit e mbajti shumë topin. Ne nuk u dorëzuam deri në fund dhe në fund ne shënuam gol dhe e morëm një barazim, mendoj se ishte e rëndësishme të mos e humbnim lojën”, deklaroi Zhegrova pas lojës.
“Sa i përket penalltisë, kjo ju ndodh mbrojtësve ndonjëherë, por e rëndësishme është se si reagoni si ekip pas kësaj. Mendoj se ekipi e shfaqi mentalitetin e duhur, duke u rikthyer dhe duke e marrë një barazim. Mendoj se është mjaft e rëndësishme për ne që ta ruajmë këtë mentalitet”, vazhdoi ish-futbollisti i Baselit.
“Siç e thash, si ekip jemi duke bërë mjaft mirë, duhet të vazhdojmë kështu, të qëndrojmë të fokusuar me kokën dhe me këmbët tonë në tokë dhe të mundohemi ta fitojmë çdo lojë, lojë pas loje dhe të mundohemi të jemi sa më lartë të jetë e mundur në tabelë”, përfundoi futbollisti ofanziv.
Aktualisht, Lille gjendet në vendin e katërt në tabelë me 28 pikë të grumbulluara pas 16 ndeshjesh të zhvilluara, prej tyre 7 fitore, 7 barazime e 2 humbje.