Një zjarr me përmasa të konsiderueshme ka shpërthyer pasditen e së shtunës në fshatin Prekaz i Epërm, ku për pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në pronat e dy familjeve.
Ngjarja ka ndodhur më 26 korrik 2025 rreth orës 17:30, kur është raportuar një zjarr që kishte përfshirë një arë dhe disa goma të vendosura aty pranë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe më pas edhe zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin me ndihmën e qytetarëve.
Nga ky incident, janë paraqitur dy ankues që pretendojnë dëme të konsiderueshme: • Ankuesi i parë ka raportuar se i janë djegur 50 koshere bletësh (të thata), material ndërtimor (dyer dhe dritare), pajisje bujqësore si dhe disa pemë të mbjella. Vlera e përgjithshme e dëmit, sipas tij, arrin në 17,600 euro. • Ankuesi i dytë ka deklaruar se nga flakët është dëmtuar fasada e shtëpisë së tij si dhe rrethoja e oborrit, me një vlerë të pretenduar dëmi prej 3,500 euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimtekniku, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare. Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar që të inicohet rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur shkaqet dhe përgjegjësinë për zjarrin.