Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka njoftuar se po vazhdojnë të shpërthejnë vatra të reja zjarri në disa fshatra përreth Pakashticës, përfshirë Metehin dhe Repën.
Situata është përkeqësuar nga zjarrët që shpërthejnë në zona të ndryshme, duke rrezikuar pasurinë dhe jetën e qytetarëve.
Bulliqi ka theksuar se ekipet e emergjencës janë të angazhuara maksimalisht në terren, me mbështetje të Agjencisë për Menaxhim Emergjent dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Situata është e rëndë dhe kërkon angazhim të përbashkët. U bëj thirrje qytetarëve të këtyre zonave që të tregojnë bashkëpunim me zjarrfikësit dhe policinë, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve dhe të mbrojmë pronat”, ka shkruar Bulliqi në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e veprimit të shpejtë.
Dje, Podujeva ka qenë në epiqendër të një situate të nxehtë, ku janë regjistruar nëntë vatra zjarri.