Në institucionin e Policisë së Kosovës, ka me qindra zyrtarë policorë që kryejnë punë për të cilat nuk janë të kualifikuar.
Kështu ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin që e ka nxjerrë për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.
Raporti vë në pah se numri i zyrtarëve policorë që punojnë të pakualifikuar nëpër pozita të ndryshme në fund të vitit 2024 ishte 341, teksa theksohet se ky numër pothuajse është dyfishuar nga viti 2023.
“Sipas informatave të ofruara nga Drejtoria e Personelit të PK-së, një numër i zyrtarëve policorë vazhdon të jetë i sistemuar në pozita pa e plotësuar kriterin e gradës që e kërkon ajo pozitë sipas strukturës organizative. Në vitin aktual, rreth 341 staf policor ushtronin funksionin për të cilat kërkohet gradë më e lartë e që në raport me vitin paraprak ky numër ishte rritur për 156 (Në vitin 2023 ishin 185 pozita të tilla)”, thotë raporti i Auditorit.
Theksohet po ashtu se në muajin shkurt të vitit 2024, PK ka shpallur konkursin për procesin e gradimit në gradën Rreshter, “mirëpo pas përfundimit të testimit me shkrim dhe me rekomandim të IPK-së si dhe me qëllim të harmonizimit të aktit nënligjor që rregullon fushën e gradimeve me ligjet dhe aktet në fuqi ky proces është anuluar”.
Neni 38, paragrafi 3 i Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2023 mbi marrëdhënien e punës në Policinë e Kosovës, përcakton se: me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, secili zyrtar i Policisë mund të caktohet në një vend të punës apo transferohet prej një vendi në vendin tjetër të punës nëse i plotëson kushtet dhe kriteret e parapara për atë vend të punës, pa marrë parasysh nivelin, pozitën apo gradën.
Në këtë raport, ZKA-ja sqaron se Udhëzimi Administrativ nr.02/2019 për procedurën e gradimit për zyrtarët policorë përcakton kriteret që duhet t’i plotësojë secili zyrtar policor për pjesëmarrje në gradim dhe procesin e testimit që duhet t’i nënshtrohet për të marrë gradën e caktuar.
Struktura organizative e Policisë së Kosovës përcakton gradën e kërkuar për secilën pozitë të punës.
Raporti thotë se shkak i kësaj gjendje ishte implementimi i strukturës organizative ku janë krijuar departamente/divizione/ drejtori të reja dhe situata e krijuar në veri të vendit ku për nevoja operacionale policore, pozitat menaxheriale janë plotësuar me grada jo përkatëse, si dhe dështimi i procesit të gradimit për rreshter.
ZKA deklaroi se harmonizimi i akteve nënligjore sipas Planit Legjislativ të Akteve Nënligjore të MPB-së pritet të miratohet gjatë vitit 2025.
Tutje, Zyra Kombëtare e Auditimit tregon edhe ndikimet që mund të ketë ushtrimi i punës pa grada kompetente.
“Sistemimi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate mund të ndikojë që pozitat e punës të ushtrohen nga persona me mungesë të kompetencës profesionale”, tha ZKA-ja në raport.
Bazuar nga këto të dhëna të raportit, ZKA jep edhe rekomandimet e veta për përmirësimin e gjendjes.
“Rekomandimi B4 – Ministri dhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së duhet të sigurojnë përshpejtimin e harmonizimit të akteve nënligjore dhe organizimin e proceseve të gradimit në mënyrë që të zvogëlohet në vazhdimësi mbajtja e pozitave nga stafit policor që nuk janë në përputhje kriterin e kërkuar për vendin e caktuar të punës”, u tha në raportin e ZKA-së për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024.