Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar me keqardhje dhe indinjatë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), i cili ka refuzuar kundërshtimin e kësaj partie për kalimin e mbi 1300 bizneseve vendore në tregun e lirë të energjisë elektrike.
PDK ka theksuar se ky vendim rrezikon mijëra vende pune dhe ka pasoja të rënda për stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Në reagimin e PDK-së, thuhet se vendimi është “i padrejtë, joprofesional, i njëanshëm dhe politik.” .
Sipas partisë, ZRRE ka vepruar në shërbim të monopolëve dhe jo të qytetarëve, duke u mbyllur sytë për pasojat negative që ky vendim mund të ketë për sektorin privat dhe ekonominë e vendit.
“Ky vendim është një hap që rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të vendit. ZRRE ka zgjedhur të mbështesë interesat e monopolistëve dhe jo qytetarët e Kosovës,”, është shprehur PDK.
Kjo parti ka paralajmëruar se nuk do të ndalet me një letër refuzuese dhe se do ta vazhdojë betejën ligjore në Gjykatë.
“Lufta jonë është për punëtorët, për rrogat e tyre, për mirëqenien e familjeve të tyre,”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në fund, PDK e ka cilësuar këtë betejë si zërin e më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, të cilët janë në rrezik të humbin vendet e punës për shkak të faturave të larta të energjisë.
“Zëri ynë është zëri i punëtorëve që po përballen me rrezikun e humbjes së vendeve të punës,”, thuhet tutje.