ZRRE-së i dorëzohet zyrtarisht kërkesa për shtrenjtim të mëtutjeshëm të faturave të rrymës

ZRRE-së i dorëzohet zyrtarisht kërkesa për shtrenjtim të mëtutjeshëm të faturave të rrymës

Furnizuesi me Shërbim Universal (FSHU)ka dërguar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) propozimin për tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët që furnizohen nën kushte të shërbimit universal (konsumatorët e rregulluar).

Kështu ka bërë të ditur ZRRE-ja me anë të një komunikate për media, duke thënë se “ky propozim vjen si rrjedhojë e kërkesës për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të Hyrave të Lejuara Maksimale nga FSHU”.

ZRRE-ja bën të ditur se është duke shqyrtuar arsyeshmërinë e propozimit të FSHU-së dhe në ditët në vijim do të njoftojë publikun për veprimet që do të ndërmerren nga rregullatori.

Në aplikacionin e dërguar nga Furnizuesi me Shërbim Universal kanë bërë të ditur se nuk kanë pranuar para nga subvencioni prej 100 milionë eurosh, i ndarë nga Qeveria Kurti për tejkalim të krizës energjetike.

“Furnizuesi me Shërbim Universal përmes shkresës zyrtare me dt. 11.02.2022 ka ngritur shqetësimet e veta lidhur me modalitetin e ndarjes së pagesave të këtij subvencioni, por nuk ka marrë përgjigje zyrtare. I përballur me paqartësi, FSHU ka komunikuar dhe shkëmbyer shkresa zyrtare me ZRRE-ne dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe i njëjti i është përgjigjur të gjitha kërkesave të pranuara nga institucionet përkatëse lidhur me llogaritjen e vlerës së subvencionit për muajt përkatës. Për më tepër, furnizuesi me dt. 5 gusht 2022 ka pranuar edhe shkresën zyrtare nga Zyra e Rregullatorit për Energji lidhur me konfirmimin e përllogaritjes së subvencionit dhe në po të njëjtën ditë ka dërguar edhe faturën zyrtare për pagesat e muajt shkurt-prill 2022 konform vendimeve të Qeverise dhe në përputhje me miratimin e ATK-së në lidhje me përgatitjen e faturës përkatëse. Megjithatë, deri më sot, FSHU nuk ka pranuar asnjë rimbursim dhe njëkohësisht nuk ka marrë ndonjë informatë se kur mund të priten pagesat në fjalë”, bëhet e ditur ndër të tjera në aplikacion.

Karshi kërkesave për rritje të mëtutjeshme të faturave të energjisë elektrike nuk ka pasur ende asnjë koment nga qeveria.

Related Articles