Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka reaguar pas rastit ku një burrë nga Llausha e Skenderajt e ka vrarë gruan e tij.
Shala tha se shqetësues janë informatat e para, që sipas saj, po japin indicje për dështim të zyrtarëve policiorë e mbrojtësve të viktimave për të garantuar të drejtën në jetë.
Shala, e cila është edhe Koordinatore Nacionale Kundër Dhunës në Familje, ka bërë të ditur se ka ftuar në takim Grupin Koordinues Ndër-Ministror kundër Dhunës në Familje.
“Është e domosdoshme që secili institucion vendor të mbështesim me vepra qëndrimin kundër dhunës dhe të sigurohet që kjo mendësi do të zbatohet nga secili zyrtar në institucionin e tyre”, është shprehur Shala në llogarinë e saj në Facebook.
Më tej, ajo u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse kundër dhunës në familje dhe asaj në bazë gjinore që të reflektojnë mbi rastin e vrasjes që ka ndodhur dje.
“U bëj thirrje të gjithë përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse kundër dhunës në familje e asaj në bazë gjinore të reflektojnë mbi këtë rast makabër dhe të sigurohen që vajzave e grave në vorbullën e dhunës, gjithmonë t’u ofrojë ndihmë e rrugëdalje dhe t’i garantojmë kujdesin e duhur institucional”, ka shkruar Shala./Gazeta “Enigma”/