Institucioni më i rëndësishëm kushtetues në vend prej muajsh nuk është i plotë në përbërje.
Për dy gjyqtarët që i mungojnë Kushtetueses procedura e testimit të kandidatëve ka përfunduar në tetor.
Megjithatë emrat e tyre vazhdojnë të presin në Kryesinë e Kuvendit, e cila i ka bërë pjesë të rendit të ditës por që akoma nuk i ka proceduar në seancë.
Nga shoqëria civile këto vonesa po konsiderohen të pa arsyeshme.
Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ka rrezik që konsensusi i kërkuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e gjyqtarëve të përdoret për pazare politike.
“Ky konsensus më shumë është trajtuar si pazar politik, e që për fat të keq edhe kësaj radhe po duket të jetë i tillë. Partitë politike të kenë kujdes e mos ta politizojnë Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo gjë paraqet rrezik të madh”, deklaroi Gëzim Shala nga IKD.
Grupet parlamentare kanë qenë të pa qasshme në lidhje me këtë temë.
Gjykata Kushtetuese aktualisht ka kuorumin e nevojshëm prej 7 gjyqtarësh për vendim marrje, por problemi mund të paraqitet në rast se miratohet përjashtimi i ndonjë gjyqtari nga ndonjë lëndë e caktuar.
Kushtetuesja ka konfirmuara për RTV Dukagjinin, se në dy raste po përballet me dy probleme të tilla.
“Gjykata, deri më tani, përballet me vështirësi në vendimmarrje në vetëm dy lëndë, si rezultat i kërkesave për përjashtim nga procedura e shqyrtimit të këtyre lëndëve nga një gjyqtar në secilin rast”.
Në listën e ngushtë për të zënë këto dy vende në Gjykatën Kushtetuese janë përfshirë gjashtë gjyqtarë.
Deputetët e Komisionit të Posaçëm më së shumti me pikë kanë vlerësuar Hilmi Jasharin.
Gjatë qershorit zgjedhje e njërit gjyqtarë dështoi në mungesë të votave. Më pas një tjetër gjyqtarë dha dorëheqje nga kjo pozitë.