Qeveria zvicerane ka vendosur të ndërpresë programet e saj të ndihmës zhvillimore për Shqipërinë, një masë që prek gjithashtu Bangladeshin dhe Zambinë.
Ky vendim vjen si pasojë e shkurtimit të fondeve për ndihmën e huaj nga parlamenti zviceran, i cili në dhjetor miratoi një buxhet më të ulët sesa kërkesa fillestare e qeverisë.
Sipas Swissinfo, parlamenti ka reduktuar me 121 milionë dollarë buxhetin e bashkëpunimit ndërkombëtar për vitin 2025. Kjo lëvizje do të ndikojë në programet e bashkëpunimit dypalësh, ekonomik dhe në mbështetjen e organizatave shumëpalëshe.
Këshilli Federal është informuar për shkurtimet e buxhetit të bashkëpunimit ndërkombëtar të mërkurën, ndërsa Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim ka njoftuar se do të përfundojë programet e saj dypalëshe me Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambinë deri në fund të vitit 2028.
Nga viti 2025 deri në 2028, do të ketë gjithashtu shkurtime të mëdha për programet dhe organizatat vendore dhe tematike. Megjithatë, ndihma humanitare dhe mbështetja për Ukrainën do të mbeten të paprekura.