Ish-shefi i stafit të presidentit Behgjet Pacolli dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, Jetlir Zyberaj e ka mohuar dje që Naim Murseli, i cili u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e gruas së tij Liridona Ademajt, ka qenë këshilltar Pacollit.
Por, Murseli në fakt ka qenë këshilltar i jashtëm i Pacollit, Pro Bono.
Vendimi është i vitit 2017, gjatë kohës sa Pacolli ishte Ministër i Punëve të Jashtme.
“Naim Murseli emërohet Këshilltar i Jashtëm (Pro Bono – Pa pagesë) i Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në vendim.
Në një deklaratë për Express, Zyberaj ka thënë se ai ka qenë pjesë e stafit më të gjerë dhe se zyrtarisht nuk ka qenë këshilltar i ish-presidentit.
Sipas Zyberajt, Murseli ka qenë asistent për rrjete sociale.
“Jemi te shokuar nga lajmi per vrasjen e rende te nje nene te re. Na Inkurajon fakti qe reagimi profesional dhe efikas i policise ka qene i menjehershem. .Murseli ka qene nje djal i ri eshte bere pjese e stafit te gjere te z.Pacolli, por qe zyrtarisht nuk ka qene keshilltar i tij. E verteta eshte se ka qene asistent per rrjetet sociale per shkak te njohurive te IT qe ka pasur dhe i eshte dhene mundesia nga ish presidenti Pacolli. Megjithate rasti i rende qe ka ndodhur duhet te zbardhet dhe pergjegjesit duhet ta marrin denimin kapital”, ka thënë ai.