Vllaznia ka zyrtarizuar firmën me mesfushorin Lorik Boshnjaku për dy vite. Ish-kapiteni i Prishtinës bëhet kështu afrimi i parë këtë merkato për shkodranët.
26 vjeçari është një njohje e trajnerit Mirel Josa, teksa e ka pasur lojtarin nën urdhëra te Prishtina. Pas shtatë vitesh në klubin e vendlindjes, Boshnjaku provon për herë të parë një eksperiencë në Superligën shqiptare, duke zgjedhur Vllazninë.
Largimi i Ardit Krymit te Soligorsk në Bjellorusi e bëri detyrim afrimin e një lojtari me tipare të ngjashme te Vllaznia.
Njoftimi:
VLLAZNIA FIRMOS ME FUTBOLLISTIN LORIK BOSHNJAKU
KF Vllaznia bën të ditur se ka firmosur me futbollistin Lorik Boshnjaku. Për 7 vite me rradhë ai ka qenë pjesë e FC Prishtina, ndërsa nga sot e për dy vitet e ardhshme do të jetë pjesë e klubit tonë. Boshnjaku luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe KF Vllaznia i uron mirëseardhjen në familjen kuqeblu!