Qendërmbrojtësi shqiptar nuk arriti ta tregojë veten sa duhet në klubin gjerman, i cili ra nga Bundesliga dhe me këtë rast i liroi 10 futbollistë. Eksperienca e Shkodran Mustafit në Schalke ka zgjatur shumë pak.
Në fakt, futbollisti shqiptar do të largohet nga ekipi gjerman pas vetëm një sezoni. Përfaqësuesi gjerman u largua verën e kaluar nga Arsenali dhe në Schalke u konsiderua si një përforcim i madh.
Mirëpo, ai bëri paraqitje të zbehta, njëjtë si ekipi në përgjithësi, i cili ra nga Bundesliga. Sot, Schalke përmes një njoftimit në uebfaqen zyrtare zbuloi se 10 futbollistë dhe tre anëtarë të stadit do të largohen me të përfunduar sezoni aktual.
“Schalke ju uron lojtarëve dhe anëtarëve të stafit më të mirën në jetën e tyre private dhe profesionale në të ardhmen”, njoftoi klubi gjerman.
Tash, ish-futbollistit të Evertonit, Sampdorias, Valencias dhe Arsenalit i mbetet ta gjejë klubin e ri. Nuk përjashtohet mundësia që futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut të rikthehet në Serie A gjatë verës që po vjen.