26 zyrtarë policorë të pikës kufitare në Jarinjë nga komuniteti serb, kanë dorëzuar armët dhe rripat me pajisje të Policisë së Kosovës para pak çasteve.
Siç merr vesh KALLXO.com, ata nuk i kanë dorëzuar uniformat dhe antiplumbat e tyre, por që kanë premtuar se do t’i sjellin edhe ato.
Deri më tani, këta janë zyrtarët e vetëm policorë serbë që kanë dorëzuar armët, pasi kolegët e tyre nga pika të tjera të Policisë, kanë dorëzuar vetëm unifromat dhe disa pajisje tjera.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veriore.
Sipas Policisë, njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, “ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”.
Tutje, në këtë njoftim është thënë se PK-ja ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara.
KALLXO.com ka raportuar se edhe zyrtarët policorë të Stacionit Policor kufitar në Leposaviq kanë ofruar letër-dorëheqjet e tyre nga postet që kanë pasur, ndërsa pajisjet dhe uniformat ende nuk janë dorëzuar nga të njëjtit.
Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.
Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).
Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.
Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.