Këshilltari ligjor rezident në Ambasadën amerikane në Prishtinë, John Hanley ka ftuar mediat që të vendosin ekuilibrin e duhur midis lirisë së shtypit dhe privatësisë së individëve.
Hanley këto komente i ka bërë gjatë fjalimit të tij në Konferencën për Siguri Kibernetike “Cyber Zero” me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Privatësisë.
“Për të gjitha mediat prezente sot: Kërkoj nga ju të vendosni ekuilibrin e duhur midis lirisë së shtypit dhe privatësisë së individëve. Liria e shtypit është e domosdoshme në demokraci. Megjithatë, ne nuk mund të harrojmë rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë së viktimave të krimit, posaçërisht në fushat e dhunës familjare dhe seksuale. Ju ftoj t’i kushtoni më shumë vëmendje filtrave në raportimin e juaj mediatik dhe nuk po e kërkoj nga ju ta bëni, sepse ligji e kërkon, por meqenëse e kërkon mirësjellja fundamentale”, shprehet Hanley.