Kremlini zyrtar ka shprehur mbështetjen e tij për Beogradin, pas zhvillimeve të fundit në mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Sky News, përcjell Periskopi.
Tensionet janë rritur, me shqetësimet se Vladimir Putin është duke tentuar të zgjerojë konfliktin ekzistues duke përkeqësuar ndarjet etnike në mes kroatëve, boshnjakëve dhe serbëve.
Rusia ka thënë se ajo ‘absolutisht’ mbështet Serbinë, me zëdhënësin Dmitry Peskov, që shtoi: “Ne jemi pranë serbëve në Kosovë, ne besojmë se këto janë kërkesa tërësisht të paarsyeshme”.
Moska mbështet pozicionin konstruktiv të Beogradit, që është shpallur nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, duke shtuar: “Natyrisht, ne besojmë se ato vende që kanë njohur Kosovën dhe që janë garantues, duhet të përdorin të gjithë ndikimin e tyre për të paralajmëruar autoritetet kosovare kundër marrjes së hapeve të tillë që shpien drejt eskalimit”, tha Peskov.
Në anën tjetër, anëtari i Këshillit të Federatës ruse, Vladimir Dzhabarov, tha për agjensionin RIA që “në rast të një përkeqësimi të situatës rreth Serbisë, Rusia do të ndihmonte Beogradin pa marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt”.
Ai nuk përjashtoi mundësinë për të furnizuar me armë Serbinë nëse Beogradi do të kërkonte një gjë të tillë.