Këshilltarja lokale e BE-së, Kati Schneeberger, ka folur për peticionin të cilin ajo e ka nisur për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në një intervistë për Klan Kosovën, ajo ka deklaruar se pas kontaktit që pati me kosovarë e ka shtyrë atë që fillojë këtë nismë, por edhe përvoja e saj personale për mungesën e lirisë së udhëtimit.
“E vizitova Kosovën për herë të parë, javën e kaluar për të takuar partnerët pro-evropian të OJQ-së sime. Të enjten e vizitova panairin e tregtisë “Expokos” , ku takova shumë miq nga Austria, dhe nga shoqëria kosovare gjatë vizitës sime në Prishtinë dhe Mitrovicë të premten. Dhe gati se të gjithë afaristët, taksistët, kamerierët në restorante e politikanët më pyetën për liberalizimin e vizave dhe lirinë për të udhëtuar”.
“Unë kam lindur në Gjermaninë Lindore dhe e di se si është të jetohet pa lirinë e udhëtimit. Dhe ndryshe nga shumë politikanë në Evropën Perëndimore unë e kuptoj këtë dhimbje të qytetarëve të Kosovës, kështu që vendosa të filloj këtë fushatë për liberalizimin e vizave gjatë vizitës sime në Kosovë”.
Schneeberger ka thënë se peticionin për Kosovën do ta prezentojë në shumë vende të Bashkimit Evropian.
“Unë e fillova peticionin në bashkëpunim me OJQ-në time. Do ta prezantoj nga Vjena gjithandej nëpër Evropë. Bëhet fjalë për OJQ-në që është në Vjenë, dhe qëllimi ynë është të rritet vetëdija e Evropës dhe Bashkimit Evropian, si edhe të vendit tonë që dëshiron të përkrah diversitetin, paqen, solidaritetin, demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.
Austriakja ka theksuar se shpresojnë që Franca dhe Holanda do të largojnë veton e tyre për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, por edhe ka treguar se deri tani janë mbledhur mbi 12 mijë nënshkrime.
“Ne duam të mbledhim sa më shumë nënshkrime që është e mundur. Më shumë se 12 mijë njerëz kanë nënshkruar tashmë, dhe numri është ende në rritje. E kam një ndjenjë se do të ketë edhe shumë të tjerë. Ne do t’ua dërgojmë ato liderëve të BE-së para samitit të BE-së, që mbahet më 23 qershor dhe shpresoj se do t’i japin fund mosliberalizimit të vizave për Kosovën. Shpresojë se do ta ndryshojmë qëndrimin e Francës dhe Holandës në mënyrë që ta heqin veton e tyre dhe që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm sikur evropianët e tjerë”.
Thirrjet e saj për rritje të numrit të nënshkrimeve në peticion nuk munguan në intervistën e dhënë për Klan Kosovën, ajo pohoi: “Besoj se mund ta bëjmë këtë. Në duhet ta shtyjmë dhe lusim të secilin që ta nënshkruaj peticionin. Pra çdo qytetarë të Kosovës dhe këdo që I mbështet ata”.
Sipas saj, Pristina është gati që të ketë liberalizim të vizave, pasi thekson se janë përmbushur të gjitha kriteret.
“Ulrike Lunacek, ish-eurodeputetja dhe ish-nënkryetarja e Parlamentit evropian, sikur edhe unë nga Partia e Gjelbër, Austria e ka shpërndarë peticionin fillimisht duke e falënderuar Ulrike Lunacek dhe të tjerëve që ishin pjesë e kësaj çështje për një kohë të gjatë”.
“Mendoj se ka përkrahje në aspektin e liberalizimit të vizave përfshirë parlamentin evropian dhe komisionin evropian edhe shumë shtete, janë dy përjashtime, Franca dhe Holanda, presidenti Macron duhet ta përdorë presidencën e Francës në BE që ta ndryshojë këtë çështje. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet, do të ishte një përmbyllje e drejtë dhe e rëndësishme pë presidencën e Francës në BE”, ka thënë Schneeberger.