Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë̈ shtimin edhe të rreth 600 infermierëve në sistemin shëndetësor. Këtë kërkesë̈ e kanë përkrahur komuniteti infermieror derisa nga shoqata që merret me të drejtat e pacientëve kërkohet vlerësim i nevojave të pacientëve karshi shërbimeve mjekësore.
Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi thotë se krahas shumë sfidave të tjera për menaxhim të pandemisë,̈ sfidues ka qenë edhe numri i kufizuar i stafit infermieror. Prandaj, ai thotë se së fundmi në Ministrinë̈ e Shëndetësisë̈ kanë adresuar një kërkesë minimale për shtimin e rreth 600 infermierëve në Klinikat dhe Spitalet e Kosovës, me qëllim që të rritet cilësia e shërbimeve mjekësore.
Krasniqi: Kemi kërkuar që të shtohen rreth 500 deri 600 infermierë
“Një̈ nga sfidat kryesore të menaxhimit të kësaj pandemie po flas për pacientët në aspektin klinik ata që kanë pasur nevojë që të marrin shërbime në spitale kanë qenë numri i kufizuar i stafin shëndetësor e në veçanti i infermierëve. Këtë me kohë e kemi ngritur si çështje për diskutim dhe e kemi adresuar në organet kompetente, tash së fundi edhe në MSH i kemi dërguar kërkesat tonat minimale është një Komision që është duke e hartuar planin për menaxhimin e pandemisë në muajve e ardhshëm dhe po presim që krahas aktiviteteve të tjera të përfshihet edhe rritja e stafit të infermierëve për spitalet tona…. Si do qoftë nëse flasim për standarde si Kosovë jemi larg standardeve për të plotësuar numrin e infermierëve për numër të shtretërve për pacientët. Ne kemi bërë një vlerësim minimal me kërkesa minimale që sillen diku edhe rreth 500-600 infermierë që do na duheshin në nivel të spitaleve tona dhe Klinikave të QKUK-së për të pasur shërbim më cilësor dhe një numër shumë të madh të infermierëve në raport me numrin e pacientëve”, tha ai.
Por kërkesa të tillë për shtim të infermierëve nëpër institucionet publike shëndetësore tash e dy vite kanë adresuar Sindikata e Infermierëve të Kosovës. Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli derisa e ka mirëpritur iniciativën e drejtuesve të QKUK-së, thotë për KosovaPress, se krahas mungesës së infermierëve, shqetësim është edhe ikja e infermierëve për të ushtruar këtë profesion jashtë vendit.
Bazuar në analizat e tyre me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve mjekësore, nevojitet shtimi edhe i 5 mijë infermierëve në gjithë sistemin shëndetësor të Kosovës.
Havolli: Ka mungesë të këtij komunitetit
“Ka mungesë të jashtëzakonshme të këtij komuniteti , përveç që kemi mungesa aktualisht një shqetësim tjetër ka qenë që infermierët të cilët kanë qenët ë punësuar për shkak të mos trajtimit të mirë të këtij komuniteti ata kanë marr rrugën drejt shteteve të BE-së ku është garantuar një jetë më e mirë sociale dhe ekonomike…Analiza jonë që është bërë me vite të tëra sa i përket kësaj kërkese ka qenë në gjithë sistemin sepse ju e dini që sistemi shëndetësor në Kosovë i ka sistemin primar, sekondar dhe terciar po flas në nivel vendin është diku rreth 5 mijë infermierë mungesë e këtij komuniteti…Realisht nëse themi se në gjithë sistemin shëndetësor janë 5 mijë nevojat më të mëdha janë në QKUK për shkak të shumë ndërhyrjeve që i kryen QKUK, diku rreth 2 mijë e 500 i duhen vetëm sistemit shëndetësor brenda Klinikës Universitare”, deklaroi Havolli.
Shoqata për të drejtat e pacientëve e konsideron shqetësues mungesën e stafit infermieror në institucionet publike shëndetësore në vendin tonë.
Besim Kodra nga kjo shoqatë deklaron se shtimi i kapaciteteve infermirore do rriste kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe do ndikojë që ato të merren me kohë. Sipas tij, para se të thuhen shifra duhet të bëhet një vlerësim i shërbimeve shëndetësore që japin institucionet shëndetësore dhe nevojat e pacientëve.
Kodra: Shtimi i stafit infermieror rrit kualitetin e shërbimeve shëndetësore
“Është shumë shqetësuese mungesa e stafit infermieror nëpër institucionet shëndetësore dhe në anën tjetër kemi klinika dhe spitale ku në reparte të caktuara kanë më shumë sesa mjek sesa shtretër…Prandaj, pa u bërë një vlerësim i mirë i nevojave të pacientëve nuk mund dhe nuk duhet të shtohet stafi infermieror sepse nuk e dimë se sa saktësisht na duhen. Pandemia COVID-19 më së shumti e ka vënë në pah mungesën e stafit infermieror, pasi që në mungesë të tyre, familjarët e pacientëve është dashur të qëndrojnë̈ me pacientë që ka qenë e rrezikshme edhe për pacientin që ka qenë i shtrirë për shkak se familjari nuk ka një kualifikim të caktuar për tu kujdesur dhe më pas ata familjar kanë dal nga klinika dhe kanë paraqitur rrezik për shpërndarje të COVID-19…..Padyshim e rrit kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe ato mund të merren në kohë, mirëpo aktualisht në bazë të një hamendje mund të supozojmë se sa infermierë na duhen”, tha ai.
Lidhur me këtë kërkesë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar për punësimin edhe të rreth 600 infermierëve në sistemin shëndetësor publik KosovaPress ka kërkuar një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.