13-vjeçarja nga Janjeva dyshohet se u dhunua nga shumë persona

Një 13 vjeçare dyshohet se ishte viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona për kohë të gjatë por edhe e keqtrajtimit dhe e neglizhencës nga familjarët, për më tepër edhe viktimë e incestit.

Për këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar vetëm një 51 vjeçar të cilin po e mbanë në paraburgim, ndërsa nuk dihet numri i personave që po dyshohen për rastin edhe pse ajo që dihet nga ekzaminimet mjekësore është se trupi i të miturës është “si të kishte kryer shumë lindje fëmijësh”.

Para jo më shumë se një muaji, më 16 qershor, familjarët e një vajze 13 vjeçare e kishin raportuar atë si “të zhdukur”. Pas kërkimeve të bëra, njësitet policore të Lipjanit e kishin gjetur vajzën në një shtëpi të pabanuar në gjendje të mjerueshme, e me vajzën gjetën edhe një rrëfim tronditës.

Burimet i kanë thënë Periskopit se vajza e mitur prej kohësh ishte përzënë nga familjarët e saj. Kjo e kishte detyruar atë që të qëndronte e të flinte rrugëve. Për këtë, ishin në dijeni edhe banorët e tjerë të Janjevës.

13 vjeçarja besohet se ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona – diçka që sipas informacioneve, është evidentuar nga ekzaminimet mjekësore dhe gjinekologjike. Këto ekzaminime i ishin bërë asaj menjëherë pas marrjes nën përkujdesje të së miturës.

Deri tash, për këtë rast është arrestuar vetëm një person i moshës 51 vjeçare me inicialet L.G. – e të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Përgjigja e tyre është si vijon:

‘’Denoncimi për rastin person i zhdukur ( fëmijë, 13 vjeç, femër) është bërë më datë 16.06.2021 në stacionin policor në Lipjan. Më datë 17.06.2021 policia ka arritur të gjej personin dhe konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit ka nisur trajtimin e të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen, me ç’ rast janë ngritur dyshime edhe për keqpërdorim seksual’’, thuhet në përgjigjen e Policisë.

‘’Përkitazi me rastin, një i dyshuar mashkull, 51 vjeç, është arrestuar nga ana e policisë dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje prej 48 orësh për t’u proceduar dhe paraqitur më tej mekanizmave relevant në procedurë’’, përfundon Policia.

Është kontaktuar edhe Prokurorina Themelore e Kosovës, por deri më tani nuk ka marrë kthyer përgjigjje.

Burime që kanë dashur të mbeten anonime në Policinë e Kosovës i kanë thënë gazetës tonë se deri tek arrestimi i të dyshuarit kanë ardhur pas intervistimit të së miturës.

Ajo ka treguar emrin e personit, e përveç tij ka përmendur edhe kontaktin që ka pasur me një 75 vjeçar kroat. Ky i fundit pas intervistimit është liruar nga Policia dhe nuk është trajtuar si person i dyshuar.

E abuzimin seksual, e ka konstatuar ekipi mjeko-ligjor së bashku me gjinekologen. Kjo e fundit kishte konstatuar po ashtu se “vajza kishte përjetuar dhunë të shpeshtë seksuale dhe se gjendja e saj është shumë e rëndë, sikurse të kishte kryer shumë lindje fëmijësh”.

Por si kishin nisur përjetimet tmerruese të së miturës?

E mitura e abuzuar seksualisht kishte qenë anëtare e një familjeje në kushte të rënda ekonomike dhe sociale me njëmbëdhjetë fëmijë.

Banorët e Janjevës kanë thënë se kohë pas kohe këta fëmijë kishin qenë “problematikë” për atë anë.

Related Articles