Javën që lamë pas, saktësisht më 27 tetor kanë nisur shpërndarja e 140 mijë vaksinave kundër gripit sezonal në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se kategoritë me prioritet për vaksinim kundër gripit sezonal janë: qytetarët mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe lehonat, personeli shëndetësor dhe fëmijët me indikacione shëndetësore.
“Koha për vaksinim është tani, sepse vaksina ju mbron juve dhe njerëzit përreth nga gripi sezonal si dhe e ul ngarkesën e sistemit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19. Secila komunë do të informoj qytetarët e saj për oraret dhe qendrën e vaksinimit kundër gripit sezonal”, thuhej në njoftim.
E tashmë disa komuna kanë nisur vaksinimin kundër gripit sezonal, disa pritet të nisin.
Në Prishtinë, vaksinimi kundër gripit ka nisur më 28 tetor, nga ora 08:00 deri në 19:00 në sallën 1 Tetori.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook kishte shkruar se grupet me prioritet për vaksinim janë: punëtorët shëndetësor, personat mbi moshën 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, shtatzënat dhe fëmijët me imunitet të dobësuar.
Të premten, më 29 tetor edhe në Fushë Kosovë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Komunës së Fushë Kosovës.
“Nga sot, e premte datë 29.10.2021 do të filloj vaksinimi i qytetarëve të Fushë-Kosovës me vaksinën kundër gripit sezonal. Vaksinimi do të bëhet çdo ditë pune nga ora 07:00 deri 19:00 në sallën e sportit të shkollës fillore ‘Vëllezërit Frashëri’ në fshatin Miradi e Poshtme (lokacioni i njëjtë ku bëhet vaksinimi kundër COVID19)”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sot, më 30 tetor procesin e vaksinimit kundër gripit e ka nisur edhe komuna e Gjilanit.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan është furnizuar me vaksina të gripit sezonal dhe nga e shtuna fillon dhënia e tyre.
Kështu është thënë në njoftimin e Komunës së Gjilanit.Sipas njoftimit, drejtoresha Arbenita Hajdari ka bërë të ditur se dy ditët e para (e shtunë dhe e diel) vaksinimi do të bëhet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Dardania, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.
Nga e hëna, 1 nëntor, vaksinimi bëhet në tri Qendra të Mjekësisë Familjare: në QKMF, si dhe në ambulancat ‘Dheu i Bardhë’ dhe ‘Ramiz Cërnica’ (te Zalli), duke filluar nga ora 8:00 deri në 14:00.
“Vaksinat kundër gripit sezonal janë të dedikuara për grupet më të ndjeshme, si të moshuarit dhe të prekurit nga sëmundjet kronike, si nevojë për rritjen e aftësisë reaguese të organizmit ndaj viruseve të ndryshëm”, tha ajo.
Ndërkaq, nga komuna e Gjakovës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale është njoftuar se është bërë furnizimi me vaksina kundër gripit sezonal në një sasi prej 8 mijë dozash.
Shpërndarja e këtyre vaksinave bëhet nga e hëna deri të premten prej orës 08:00 deri në 20:00 në qendrën e vaksinimit në sallen e Edukatës Fizike në shkollën “Fehmi Agani”. /Gazeta “Enigma”/