Ekipi U19 i FC 2 Korrikut ka arritur të sigurojë kalimin në rrethin e dytë të UEFA Youth League, duke mposhtur Bylisin e Ballshit, me rezultatin 2:1, në ndeshjen e kthimit, që u zhvillua sot në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Kjo është hera e parë që kampioni i Kosovës i grupmoshës nën 19-vjeç merr pjesë në këtë garë.
Pas një pjese të parë pa gola, ku vendasit patën disa mundësi shënimi, ndeshja mori një drejtim të ri në pjesën e dytë.
Goli i parë erdhi në minutën e 61-të, kur Haris Isufi shfrytëzoi një rast të mirë, duke realizuar pas një përballjeje direkte me portierin mysafir, duke e dërguar topin në rrjetë për 1:0.
Përgjigjja e Bylysit ishte e shpejtë, kur Chidera Nwaneri barazoi shifrat në 1:1.
Megjithatë, gëzimi i mysafirëve zgjati vetëm për pak, pasi Rin Ahmeti, tre minuta më vonë, shënoi golin e fitores për 2 Korrikun, duke vulosur rezultatin e kësaj ndeshje, 2:1.
Me këtë fitore, 2 Korriku kaloi në rrethin tjetër të UEFA Youth League, me rezultatin e përgjithshëm 4-2, pasi në ndeshjen e parë në Elbasan po ashtu kishin triumfuar 2:1.
Për suksesin e arritur ekipin e 2 Korrikut e ka përgëzuar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
“Fitorja ndaj Bylsit edhe në ndeshjen e kthimit në “Zahir Pajaziti”, me rezultat 2:1 është dëshmi e talentit, përkushtimit dhe punës suaj të palodhur. Me këtë debutim të suksesshëm në garën evropiane na keni bërë krenarë të gjithëve dhe keni dëshmuar se futbolli ynë ka potencial për arritje edhe më të mëdha. Vazhdoni të punoni dhe të luftoni maksimalisht në fushën e gjelbër për suksese të reja”, shkroi Ademi në një postim. /Gazeta Enigma