20 punëtorë të ministrisë së Kthimit morën pagë mbi një vit pa shkuar në punë

20 punëtorë të ministrisë së Kthimit morën pagë mbi një vit pa shkuar në punë

Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2020 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Sipas auditorit  çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik. Por, ZKA-ja ka vërejtur që në MKK, mungojnë dëshmitë për vijueshmërinë në punë për njëzet (20) punonjës të saj.

“Të njëjtit asnjëherë nuk figurojnë në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2020 përderisa kompensimi vjetor për këta të punësuar ishte 103,562.40€. Për më tepër, nuk ka dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që u janë ngarkuar. Përveç këtyre, edhe në një rast (Udhëheqësi i Divizionit për planifikim të politikave) kemi vërejtur që nuk kishte dëshmi për vijueshmërinë në punë për periudhën e ekzaminuar nëntor 2020. Shkaku i mos paraqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministrisë. Ndërsa për punonjësin Udhëheqësi i Divizionit për planifikim të politikave, sipas zyrtarëve përgjegjës, shkak ishte mungesa e kartelës” thuhet në raport.

Më tutje në raport thuhet se mos vijueshmëria në punë dhe mos realizimi i detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me akt emërimet është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe paraqet shembull jo të mirë tek punonjësit tjerë.

“Kompensimi i tillë i zyrtarëve e dëmton buxhetin dhe reputacionin e organizatës në përgjithësi, gjithashtu e rrit rrezikun që organizata të dështoj në realizimin e objektivave të saja. Ministri duhet të siguroj kontrolle adekuate në fushën e personelit, të zgjidhë problemin e angazhimit të punonjësve në punë dhe të ndërmerren hapat e duhur për zbatimin e legjislacionit në fuqi duke siguruar menaxhim efikas dhe efektiv të organizatës në drejtim të realizmit të objektivave të saj” ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit.

Related Articles