23 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

23 vjet nga vrasja e gjeneral Ilir Konushevcit

23 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushefci.

Ilir Konushefci është lindur më 20 qershor të vitit 1969 në fshatin Llugë të komunës së Podujevës. Fëmijërinë e kaloi në fshatin e lindjes. Shkollën fillore e kreu në fshatin Lluzhan, të mesmen në Podujevë dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë në Ferizaj, të cilën nuk arriti ta përfundojë për shkak të aktiviteteve.

Më 13 maj 1992 , Iliri, së bashku me shokët Rexhep Uka, Selim Haziri, Naim Hyseni, Lulëzim Podvorica, Naim Haziri, Bejtush Llugaliu dhe Shaip Haziri, themelojnë grupin ilegal apolitik me emrin “Shqiponjat“, i cili do të organizohej për t’iu kundërvënë secilit që drejtpërsëdrejti rrezikonte pasurinë dhe gjërat e njerëzve në Kosovë, por duke mos lënë anash as strategjinë luftarake.

Kjo vërehet në betimin e dhënë, ku thuhet: “Betohem para flamurit dhe para shokëve se detyrat, të cilat i parashtron grupi, do t`i kryej me besnikëri dhe nëse është nevoja edhe jetën do ta jap për realizimin e idealit tonë”.

Ky grup, në vitin 1993, bie në kontakt me LKÇK-në. Edhe pse në mes tyre kishte disa dallime të vogla sa i përket mënyrës së organizimit, megjithatë gjendet mënyra për bashkëpunim, sepse të dy palët mendonin se çlirimi i Kosovës mund të realizohej përmes luftës së armatosur.

Njësiti “Shqiponjat“ pranon që t`i ndihmojë ata në shpërndarjen e organit të LKÇK-së “Çlirimi”. Ky bashkëpunim zgjati gjer nga fundi i vitit 1993 dhe fillimi i vitit 1994.

Në qershor të vitit 1996 ky njësit bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës – Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të.

Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit, Qerim Kelmendin, Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj.

Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin,pas vrasjes së Luan Haradinajt.

Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit shumë çka nuk ishte si më parë.

Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në. /Gazeta Enigma/

Related Articles