Trump i dërgon mesazh të prerë Teheranit: Marrëveshje të vërtetë ose asgjë

Trump i dërgon mesazh të prerë Teheranit: Marrëveshje të vërtetë ose asgjë

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani kërkon një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, por sipas tij, propozimi i Teheranit nuk është i pranueshëm. Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, pas kthimit nga udhëtimi në Azi, Trump theksoi se Uashingtoni kërkon një marrëveshje të vërtetë dhe jo një zgjidhje të përkohshme.

“Irani dëshiron një marrëveshje, por nuk dëshiron një marrëveshje që të jetë e pranueshme për mua. Ne duam një marrëveshje të vërtetë, jo një marrëveshje të rreme“, deklaroi Trump.

Ai e cilësoi operacionin ushtarak kundër Iranit si një “veprim të vogël ushtarak”, ndërsa përsëriti se Teherani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore. Presidenti amerikan tha gjithashtu se ka qenë i pari që ka folur për çarmatimin bërthamor në shkallë globale, duke përmendur se Rusia zotëron të paktën 3 mijë koka bërthamore.

Trump ngriti edhe dyshime për programin e Iranit, duke thënë se qarkullojnë informacione se Teherani mund të jetë duke ndërtuar një bombë të pistë. Sipas tij, nëse Irani po zhvillon një armë të tillë, Shtetet e Bashkuara do ta zbulonin dhe do ta ndalonin.

Gjatë konferencës, Trump foli edhe për inteligjencën artificiale dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave (data center). Ai tha se këto struktura duhet të ndërtohen në territorin amerikan dhe paralajmëroi vendosjen e një takse shumë të lartë për kompanitë amerikane që zgjedhin t’i ndërtojnë ato jashtë vendit.

“Duhet të ndërtojmë qendrat e të dhënave, nuk do të lejoj që ato të vendosen në vende të tjera. Nuk mund të lejojmë që Kina t’i marrë të gjitha. SHBA-ja është përpara në fushën e Superinteligjencës. Edhe Xi është dakord që ta quajmë Superinteligjencë dhe jo Inteligjencë Artificiale. Dhe jemi dakordësuar për të vendosur kufizime të përbashkëta“, tha Trump.

Ai shtoi se kompanive amerikane që ndërtojnë qendra të të dhënave jashtë vendit mund t’u vendoset një “taksë shumë e rëndë”. Sipas tij, edhe në tregtinë e çipave janë bërë gabime që i kanë shkaktuar dëme të mëdha vendit. Trump theksoi se Kinës do t’i shiten vetëm çipa të gjeneratave të vjetra, duke shtuar se nëse nuk i merr nga SHBA-ja, Pekini do t’i prodhojë vetë.

Related Articles