27 civilë humbin jetën nga sulmet ajrore turke në Siri

27 civilë humbin jetën nga sulmet ajrore turke në Siri

Një raport i grupit monitorues të luftës në Siri ka zbuluar se sulmet me dronë të Turqisë kanë shkaktuar vdekjen e 27 civilëve brenda 24 orëve të fundit.

Këto sulme vijnë pas një incidenti të dhunshëm në Ankara, ku pesë persona humbën jetën, për të cilin Turqia fajëson militantët kurdë, transmeton Gazeta Enigma.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi se forcat turke kanë përshkallëzuar ndjeshëm ofensivat ajrore dhe tokësore në veri dhe lindje të Sirisë.

Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar 45 sulme me dronë dhe katër sulme nga avionë luftarakë, duke goditur infrastrukturën kritike, përfshirë stacione ujit, energjie dhe gazit.

Sipas autoriteteve turke, sulmet ajrore filluan të mërkurën dhe përfshinë objektiva që i përkasin Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, një grup i ndaluar në Turqi.

Pas sulmit të Ankara, Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi se kishte realizuar operacione ajrore ndaj “caqeve terroriste” në veri të Irakut dhe Sirisë, duke shkatërruar 32 objekte.

Forcat Demokratike Siriane, në një deklaratë të veçantë më 24 tetor, theksuan se sulmet ajrore turke kishin rezultuar në vdekjen e 12 civilëve në verilindje të Sirisë dhe plagosjen e 25 të tjerëve.

Ata gjithashtu raportuan se avionët luftarakë turq dhe dronët kishin shënjestruar furrat e bukës, stacionet e energjisë, si dhe objektet e naftës dhe piketat e kontrollit të Forcave të Brendshme të Sigurisë kurde./GazetaEnigma/

Related Articles