Janë bërë saktësisht katër vite që kur Kosova u bë me ushtri të saj. Forca e Sigurisë së Kosovës mori edhe zyrtarisht mandatin për të ruajtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, shkruan Enigma.
Përurimet lidhur me këtë datë të rëndësishme për Kosovën nuk munguan.
Lidhur me këtë GazetaEnigma ka kontaktuar me ekspertin e Sigurisë, Drizan Shala.
Sipas tij votimi i ligjeve në Kuvend për Forcat e Sigurisë së Kosovës i dhanë indikacion vendit në përfundimin e planit 10 vjeçarë.
“Kosova pas votimit të ligjeve në Kuvend për FSK me mision të ri kjo dha një indikacion që Kosova ka filluar që të përfundojë planin e saj 10 vjeçarë të tranzicionit. Dhe në bazë të zhvillimeve në këtë stazh kemi një avancim dhe përmbyllje të fazave të saja të parapara sipas planit të saj”, u shpreh Shala.
Gjithashtu theksoi se FSK duhet të shtojë buxhet në fazen e dytë dhe të tretë për t’u kompletuar.
“FSK duhet që në vitet në vijim të shtojë në fazen e dytë dhe të tretë për të përmbyllur me efikasitet duke përmbushur nevojat për ndryshimet gjeostrategjike dhe politike”, përfundoi Shala.
Reagimi nuk mungoi as nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili , tha se përkundër sfidave të ndryshme, rrugëtimi me vizion të qartë është i pandalshëm.
“Përvjetori i katërt i Forcës sonë me mandatin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës na gjen me suksese të mëdha. Përkundër sfidave të ndryshme, rrugëtimi ynë me vizion të qartë është i pandalshëm drejtë synimit tonë.”, ka shkruar ai.
Mehaj uron ushtarët e FSK-së duke iu thënë “urime ushtarakë, ju gardianë të lirisë e Republikës sonë”.
“Ushtri me ushtarakë me moral të lartë, të arsimuar, stërvitur, të pajisur dhe të gatshëm për realizimin e misionit të shenjtë në mbrojtje të Atdheut dhe qytetarëve tanë. Ushtri e ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve , dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza. Urime qytetarë të dashur! Urime ushtarakë, ju gardianë të Lirisë e Republikës sonë!”, tha më tej ai.
Gjithashtu edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se ndihet krenar që ka vendosur një gur në themelin e kësaj ushtrie.
“Kosovë, urime katër vjetori i Ushtrisë. Krenar që pata mundësinë ta vendos një gur në themelin e Ushtrisë së Kosovës! Në katër vjetorin e themelimit të saj, po e rikthej në vëmendjen tuaj një fjalë timen, nga zemra”, thuhet në postimin e Haradinajt./GazetaEnigma/