Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do ta ketë të pamundshme të qeverisë pa formuar një koalicion.
Ai është shprehur se VV-ja nuk ka arritur qëllimin që të qeverisë e vetme dhe se tash i duhet të modifikojë rrugën për të arritur pushtetin.
“Vetëvendosja e ka pas pozicionin transparent gjatë zgjedhjeve. Kemi thënë se qëllimi im ka qenë me vazhdu një qeverisje siç e kemi, mundësisht pa partitë tjera opozitare e pastaj e merr rezultatin e zgjedhjeve edhe e sheh që nuk e ke mbërri atë qëllim. Kjo është demokracia. E ke pas një qëllim dhe nuk ke mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, ka thënë ai pas mbledhjes me subjektet politike. “Kemi thënë qëllimi është ta bëjmë të vetëm qeverinë. A është e mundshme kjo? Mua nuk po më duket e mundshme”.
Tek ka folur për letrën dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës për konsulta para konstituimit të Kuvendit dhe për procesin e formimit të qeverisë, Konjufca ka thënë se do të përdoret “gjuhë e bashkëpunimit dhe partneritetit”.
“… në fund të fundit, të gjithë zgjohemi një mëngjes dhe shohim cili është rezultati i zgjedhjeve dhe e kuptojmë që politika nuk ndërtohet mbi urrejtjen dhe dashurinë. Politika është me i kuptu interesat, por itneresat që i përfaqësojmë s’janë tonat, por të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.