Nën monitorim minimal ndërkombëtar, zgjedhjet e 9 shkurtit ashtu sikurse edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit të vitit që lamë pas po shoqërohen me dyshime për keqpërdorime gjatë numërimit të votave, shkruan Gazeta Enigma.
Për shkak të dyshimeve të krijuara, KQZ-ja vendosi për numërim të plotë në gjitha komunat.
Pas publikimit të rezultateve finale të zgjedhjeve të 28 dhjetorit nga KQZ rreth numrimit të votave, disa komuna kanë shkuar në rinumërim ku pastaj u zbardhën manipulimet e mëdha që janë bërë në Qendrat Komunale të Numërimit.
Rinumërimi i pjesshëm i votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, në disa komuna të Kosovës ka shpërfaqur mospërputhje të shumta, për kandidatë që përfshijnë të gjitha partitë politike. Këto mospërputhje të votave në regjistrat përfundimtar, nuk ndryshojnë përqindjen e rezultatit të partive politike, por ndryshojnë rezultatin e kandidatëve për deputet brenda subjekteve politike.
Nga mbi 900 vendvotime në të gjithë Kosovën që shkuan në rinumërim, sipas një vendimi të KQZ-së, në komunën e Prizrenit dalin mospërputhjet më të mëdha deri tani. Pas këtij skandali e pas zbulimit të këtyre devijimeve, partitë dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan rinumërim të plotë të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të ketë rinumërim të plotë të të gjitha votave në vendvotimet në 28 komuna.
Po ashtu është vendosur që të shkarkohet përfaqësuesit politikë në Komisionin Komunal Zgjedhor në Prizren, ku sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, janë vërejtur dallimet më të mëdha në votat për kandidatët për deputetë. Paraprakisht, në këto 28 komuna KQZ kishte vendosur që të rinumëroheshin vetëm 10 për qind e vendvotimeve, ndërkaq në 10 komuna të tjera vendosi për rinumërim të plotë.
A po humb kredibiliteti i zgjedhjeve në Kosovë?
Ish-diplomati Avni Arifi, potencoi se zgjedhjet po e humbin kredibilitetin dhe legjitimitetin në Kosovë.
“Po humb edhe kredibiliteti edhe legjitimiteti. Zgjedhjet në Kosovë nuk janë më instrument me ndërtu demokracinë, por, instrument me kap prej shtetit çka do që të mundët e kushdo që të mundet. Vjedhja e votës nisi me 100euro nga Kurti, abuzimi i votës ishte caktimi i datës së 28 dhjetorit dhe rroga e 13 e sanaku i hapur është refleksioni i kulturës tonë i pëlqeu dikujt apo jo. Kap çka të mundesh nga shteti”, përfundoi Arifi për Enigmën./GazetaEnigma/
LEXO:
