50 mijë bimë kanabis dhe 16 të arrestuar, dalin pamjet e aksionit policor në Krujë

Pas operacionit të realizuar nga Policia e Shtetit, forcat RENEA dhe FNSH-ja në Krujë dhe në fshatrat përreth, për zbulim dhe parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike, janë bërë zyrtare detajet.

Ky operacion u ndërmor pasi Guardia di Financa, në patrullim, ka zbuluar parcela me kanabis në këto territore.

Në kuadër të operacionit antikanabis i koduar ‘AGIMI’, janë asgjesuar 50 mijë rrënjë kanabisi dhe janë arrestuar 16 persona.

Policia ka  shpallur në kërkim 24 tjerë. Ndërkohë tre shtetas po hetohen në gjendje të lirë.

Gjithashtu bëhet me dije se është sekuesturar një laborator që shërbente për kultivim e kanabisit me llamba.

Të pranishëm në terren kanë qenë kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në këtë operacion janë përfshirë mbi 200 efektivë. Ai do të shtrihet edhe në zona e qytete të tjera. Sipas policisë, ky është operacioni antidrogë, më i madh pas atij në Lazarat.

Related Articles