Një depo e një fabrike është përfshirë nga zjarri ditën e premte, ku sipas pronarit vlera e dëmit të shkaktuar nga zjarri është rreth 50 mijë euro.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se nga zjarri janë djegur makineri punuese, bidona me speca si dhe lënda e parë për prodhim.
“Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën se në lokacionin e lartëcekur është një zjarr në afërsi të depove. Patrulla policore me të marrë informatën ka dalë në vend ngjarje, ku vërehej se zjarri kishte kapluar depon “MIX Produkt”, SHPK. Në vend ngjarje kanë dalë edhe zjarrfikësit të cilët e kanë lokalizuar zjarrin Sipas pronarit, zjarri kishte kapluar depon dhe hapësirën përreth, ku aty ishin djegur makineria punuese, bidona me speca (fafarona) si dhe lënda e parë për prodhim. Vlera e dëmit sipas ankuesit është 40.000 deri 50.000 euro”, tha ai për Telegrafin.
Bytyqi tha se në lidhje me rastin kanë informuar hetuesin kujdestar, krim teknikën, si dhe hetimet rajonale të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Zëdhënësi Bytyqi tha se nga zjarri nuk ka persona të lënduar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.