Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në konferencën e mbajtur këtë të premte, se ditën e hënë do të dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë një amendament ku të kërkojnë që 50 milionë euro, nga buxheti i vitit 2024, të shkojnë për ndihmë ushtarake në Kosovë.
“Ditën e hënë Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë, një amendament të mega-buxhetit që u kalua për 4 minuta, prej 7 miliardë eurosh, me afro 1.3 miliardë euro shpenzime kapitale, nga i cili do të kërkojë rialokimin e 50 milionë eurove, afërsisht 5 miliardë lekë të reja, ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës.
Natyrisht presim që të paktën në këtë interes esencial të sigurisë sonë kombëtare, të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe të qëndrimit në krah me mjete modeste, në krahasim me investimin që po bëjnë aleatët tanë, presim të mos bjerë në nivelin e mjerueshëm të debatit politik ku e kanë futur aktualisht protagonistët e teatrit të përditshëm”,-tha Basha./EuronewsAlbania/