Pas 30 vitesh pune si mësimdhënës, në vitin 2016 Ndrecë Përlleshi vendosë që të largonte ditarin nga duart.
52 vjeçari nga Gjakova, vendosi që karrierën e tij të vazhdonte serish në fushën e arsimit, i bindur se përvoja nuk i mungonte ai aplikoi dhe u pranua si inspektor i arsimit në regjionin e Gjakovës, raporton Kiks Kosova.
Ai la prapa gjithçka, duke dhënë dorëheqje në shkollën ku punonte si mësimdhënës, dhe nisi punën qetësisht si inspektor. Por gjërat morën tatëpjetën 8 muaj më vonë, kur në emailin e tij erdhi një shkresë ku thuhej se vendimi për emërimin e tij ishte hedhur poshtë.
Në këtë mënyrë në moshën 52-vjecare Ndrecë Prelleshi, mbeti i papunë, dhe për një vit familja e tij nuk e pati asnjë të hyrë financiare.
Më vonë ai do të kuptonte se e gjithë historia e largimit të tij erdhi pasi kandidati i cili ishte renditur i gjashti në listën e të intervistuarve, ishte ankuar, jo për Ndrecë Përlleshin, por për kolegen e tij e cila ishte zgjedhur bashkë më të inspektore, duke thënë se ajo nuk i kishte arritur pikët.
Kjo ankesë, e cila megjithëse nuk kishte target për Ndrecën, e la atë të pa punë.
Edhe 8 vjet pas këtij vendimi, Ndrecë Prelleshi që tash është 60 vjeçar nuk po ndalet duke kërkuar drejtësi.
Kjo gjë, sipas avokatit të tij Mehdi Geci, është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Nëse Gjykata do reagonte dhe do funksiononte sipas ligjit, Geci thotë që klienti i tij do të kthehej në punë që para 7 vitesh.
Për KIKS-in, Geci shprehet i pakënaqur me punën e gjykatave, duke theksuar se vendimet e tyre nuk janë meritore jo vetëm në rastin e tij por edhe në tjerat.
Ajo që e habit Ndrecë Prelleshin është fakti se kolegëve të tij që u përzgjodhën inspektorë për regjionet e tjera, e që ishin përzgjedhur me të njëjtin konkurs, nuk iu ndërpre kontrata.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ndonëse ka pranuar se ndaj Ndrecë Përlleshit nuk pati ankesë, por fakti se ankesa erdhi për regjionin e Gjakovës e penalizoi atë.
Ndërsa arsyetohet se konkursi nuk u anulua për rajonet e tjera pasi ndaj tyre nuk pati asnjë ankesë.