Një ngjarje e pazakontë ka shoqëruar qëndrimin e São Paulos në Bolivi, pasi një autobus i kompanisë “Buses Cosmos”, i kontraktuar për transportin e delegacionit të klubit brazilian, është ndaluar nga policia dhe në të janë gjetur 86.5 kilogramë marijuanë.
Ngjarja ka ndodhur të martën, më 11 gusht, gjatë një kontrolli rutinë të Njësisë Lëvizëse të Patrullimit Rural (UMOPAR), në zonën e Locotalit, në departamentin e Cochabambas.
Sipas raportimeve të mediave braziliane dhe boliviane, gjatë kontrollit policia ka zbuluar katër thasë me pako në formë tullash, të cilat pas verifikimit kanë rezultuar se përmbanin marijuanë.
Autobusi kishte të vendosur tashmë stemën e São Paulos, por nuk ishte përdorur ende nga futbollistët apo stafi teknik. Mjeti ishte nisur drejt Santa Cruz de la Sierrës, ku do të vihej në dispozicion të delegacionit të klubit, kur u ndalua nga autoritetet.
Shoferët e autobusit janë arrestuar në kuadër të hetimeve, ndërsa kompania “Buses Cosmos” ka deklaruar se merr përgjegjësinë për incidentin dhe ka theksuar se São Paulo nuk ka asnjë lidhje me transportin e lëndës narkotike.
Klubi brazilian ka siguruar menjëherë një autobus tjetër nga e njëjta kompani, duke bërë të mundur vijimin normal të planit të udhëtimit të delegacionit.
São Paulo ndodhej në Bolivi për përballjen ndaj Bolívarit në kuadër të Copa Sudamericana.
Ndërkohë, policia dhe Prokuroria e Bolivisë kanë nisur hetimet për të zbuluar origjinën e drogës dhe destinacionin e saj përfundimtar.

