Dehari thotë se e thirr seancën në “momentin e parë që kemi sinjale” për marrëveshje për formim të të gjitha institucioneve

Dehari thotë se e thirr seancën në “momentin e parë që kemi sinjale” për marrëveshje për formim të të gjitha institucioneve

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes Avni Dehari, tha se e thërret vazhdimin e seancës në “momentin e parë” kur ka “sinjale” për marrëveshje që siguron formimin e të gjitha institucioneve.

Konstituimi i Kuvendit duhej të përfundonte më 7 gusht kur ishte dita e fundit e afatit 30-ditor kushtetues, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.

Derisa kjo s’ndodhi për shkak se Vetëvendosje kërkoi “kohë shtesë”, Dehari në argumentin e tij për marrëveshje politike iu referua Gjykatës Kushtetuese.

“Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial”.

Dehari shton: “Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare”.

Postimi i plotë:

Vitin e kaluar, me 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese kishte ritheksuar nevojën që Kuvendi të konstituohej brenda afatit 30-ditor, me afatin qe fillonte të rridhte që nga dita e shpalljes së aktgjykimit KO124/25.

Kjo nënkuptonte që sipas aktgjykimit KO124/25, Kuvendi do duhej të konstituohej më së largu me 26 korrik 2025.

Të gjithë jemi dëshmitarë se konstituimi i Kuvendit nuk kishte ndodhur as pas afatit të ri 30-ditor të vendosur nga GJK, pra deri me datën 26 korrik 2025.

Sa herë që u kam bërë thirrje deputetëve të opozitës vitin e kaluar që të votonin për ta konstituuar Kuvendin e të mos tejkalohej afati kushtetues, përgjigja e tyre ka qenë se “nevojitet marrëveshje politike”. Asnjëherë nuk ishte problematizuar tejkalimi i këtij afati. Kurse nga vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet pasuese për çështjen e konstituimit, u kërkohej palëve të vazhdonin tentativat për konstituim pavarësisht tejkalimit të afatit, sepse nevoja për ta konstituuar Kuvendin i mbivendoset afatit.

Kërkesa e partive opozitare u precizua edhe më tej pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke insistuar që marrëveshja politike duhet të bëhet para formimit të institucioneve, përndryshe shkojmë në zgjedhje.

Ne edhe mund të thërrasim seanca shterpë të cilat vetëm sa i irritojnë qytetarët, mirëpo përvoja nga dy legjislaturat e kaluara na ka mësuar që e vetmja mënyrë për institucione stabile dhe për të evituar zgjedhjet, është përmes një marrëveshjeje politike në mes të partive parlamentare.

Momentin e parë që kemi sinjale për marrëveshje politike që siguron formimin e të gjitha institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve, ashtu siç e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimet e vitit të kaluar, pra që palët të merren vesh në vend se të ketë tentativa pa rezultat, thirrja e vazhdimit të seancës konstituive bëhet formalitet ceremonial.

Related Articles