Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në Kompleksin Memorial në fshatin Marinë të Skënderajt, në 23 vjetorin e rënies heroike të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.
“Ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë prej të gjithë atyre që do të vijnë pas nesh, sepse gjaku i dëshmorëve dhe rënia e tyre është kontribut i krejt asaj që e kemi ndërtuar deri më tani”, ka thënë Konjufca bëhet e ditur përmes faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Kreu i Kuvendit shtoi se amaneti i të gjithë dëshmorëve, “është aktual më shumë se kurrë më parë”.
Kjo për arsye se siç ka thënë ai, “sot e kemi një Serbi, e cila me veprimet e saj po i mohon edhe masakrat që vet i ka bërë mbi qytetarët e pafajshëm shqiptarë. Po dëshmojnë që janë po të njëjtit pasardhës të Sllobodan Millosheviçit”.
Ndërsa theksoi se “heroi Mujë Krasniqi dhe 40 dëshmorët që ranë para 23 vitesh, dhanë jetën për lirinë dhe shtetin e Kosovës që i gëzojmë sot”.
Ai tërhoqi vërejtjen se me këtë Serbi, Kosova kurrë nuk mund të ndjehet e qetë dhe e sigurt, andaj duhet të jetë e përgatitur për çdo situatë.
“Kjo për arsye se ata jo vetëm që nuk janë penduar, por nuk e pranojnë krimin që e kanë bërë vet”, ka deklaruar Konjufca.