Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se Ballkani i Hapur nuk mund të ketë sukses, përderisa në të nuk janë të përfshira të gjitha vendet.
Pendarovski gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se këtë iniciativë e ka parë me dyshime qëkur është lansuar më 2019.
“T’ju rikujtoj se qëkur nisi si iniciativë më 2019, unë isha politikani i parë që shpreha rezervat. Kësaj iniciative i mungon diçka, në vend se të jenë 6 shtetet, janë vetëm 3. Derisa kjo iniciativë nuk i përfshin të gjitha shtetet nuk do të suksese. Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësim tregtar e ekonomik, por jo politik. Mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është iniciativë që ka institucione, ka resurse që Ballkani i Hapur nuk i ka”, ka thënë Pendarovski.
Ballkani i Hapur është iniciativë rajonale e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë e kanë refuzuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina./Gazeta “Enigma”/