Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për fusnotën në përmbylljen e projektit “Promovimi i demokracisë lokale”.
Ai ka shprehur pakënaqësi me mënyrën e përdorimit të asteriksit, sepse siç tha Kurti, kjo nuk reflekton realitetin e një Kosove të pavarur dhe sovrane të njohur nga shumica e shteteve të Këshillit të Evropës, por as edhe të marrëveshjes së trashëguar nga dialogu në Bruksel për përfaqësimin rajonal.
“Ne e dimë që në forume të ndryshme ndërkombëtare dhe evropiane e kemi bezdi fusnotën, këtë asteriksin që i mvishet emërtimit të vendit tonë, poashtu e dimë që është një trashëgimi e hidhur nga qeveritë e mëhershme, por më lejoni të shpreh pakënaqësi me mënyrën e përdorimit të asteriksit sepse kjo nuk reflekton realitetin e një Kosove të pavarur dhe sovrane të njohur nga shumica e shteteve të Këshillit të Evropës, por as edhe të marrëveshjes së trashëguar nga dialogu në Bruksel për përfaqësimin rajonal”.
“Në raport asteriksi është përdorur sa herë që përdorët emërtimi “Kosovo” kurse ka vetëm një referencë në fillim të raportit që shpjegon asteriksin e cila është ndryshe nga çdo referencë tjetër që kemi hasur. Kjo është më e rëndë sepse po ndodh në Kosovë jo diku në arenën ndërkombëtare. Besoj që ky keqcitim dhe keqpërdorim duhet adresuar dhe përmirësuar”, tha Kurti.