11 persona si viktima të pretenduara të UÇK-së janë pranuar të marrin pjesë në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Gazeta “Enigma”.
Këta 11 persona që në të ardhmen do të jenë pjesë e procesit kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është propozuar nga regjistri që të jenë nën kushte të plota anonimiteti.
Mirëpo, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kundërshtuar ashpër që këto viktima të pretenduara të UÇK-së të kenë anonimitet të plotë. Sipas Emmerson, kjo përbën shkelje flagrante të të drejtave të një akuzuari.
“Mbrojtja e kundërshton fuqimisht propozimin e Sekretarisë për t’u dhënë anonimitet të plotë të gjithë aplikantëve. Një propozim i tillë nuk mbështetet nga Rregullat ose ligji dhe përbën shkelje flagrante të të drejtave themelore kushtetuese dhe ndërkombëtare të njeriut dhe të të akuzuarve; dhe është në kundërshtim me nenin 22(9) të Ligjit duke e ndaluar mundësinë e referimit në kontest civil në gjykatat tjera të Kosovës”, ka thënë Emmerson.
Emmerson tutje thotë se mos-njohuria për identitetin e viktimave të paraqitura, do ta privonte atë nga kundërshtimi efektiv për statusin e këtyre personave.
Madje ai thotë se mbrojtjes do t’i ndalohej edhe zbulimi i çdo deklarimi të rremë apo identiteti të sajuar.
“Së dyti, pa njohuri për identitetin e viktimave që marrin pjesë në procedurë, mbrojtja nuk do të ishte në gjendje të kundërshtonte në mënyrë efektive statusin e viktimave individuale përpara se një vendim përfundimtar t’i identifikonte ato si të tilla. Për më tepër, mbrojtjes do të ndalohej nga hetimi dhe zbulimi i çdo rasti të deklarimit të rremë ose identitetit të sajuar”, ka thënë ai.
Kujtojmë se gjyqtari paraprak ka pranuar aplikacionet e 11 personave, viktimave të pretenduara që të marrin pjesë në procedurën kundër krerëve të UÇK-së.
Ndërkaq, një personi i është refuzuar ky aplikim.
Krerët e UÇK-së ndërkaq pritet që së shpejti ta dërgojnë në apel refuzimin e gjyqtarit paraprak për t’i liruar ata nga paraburgimi.