Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka reaguar ashpër në Kuvendin e Kosovës ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, meqë këta të fundit nuk e kanë përkrahur një amandament të Lushtakut që lidhet me një projekt për furnizimin me ujë në Skenderaj.
Lushtaku ka thënë se me një votim të tillë deputetët e VV’së e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe se janë kundër Drenicës.
“Fillimisht duhet të shpreh keqardhjen e madhe ndaj këtij votimit që po tregon që partia Vetëvendosje e ka ende një hatër mbetje për shkak të votave që s’ja ka dhënë as në qendrore as në lokale. Është për turp, dhe ju po e tregoni fytyrën e vërtetë, që jeni kundër Drenicës. Në kohën më të vështirë, edhe aparati serb në krye me Millosheviqin, kanë dasht me na e ndalë ajrin dhe jetën, po skan mujt”, është shprehur Lushtaku.
Ndaj fjalëve të Lushtakut ka reaguar kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka cilësuar se gjuha e Lushtakut është joparlamentare.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit po votojnë një nga një 83 amandamentet e projektbuxhetit për vitin 2022.
Kurse, Lushtaku ka propozur amandamentin e 53-të i cili me shumicë votash nuk arriti të kaloj./Gazeta Enigma/